Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i mbledhur të shtunën, ka rikonfirmuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit.
Kryeministri në detyrë deklaroi se synon një mandat të ri pas rezultateve të mëparshme zgjedhore, ku LVV ka fituar mbi 51% të votave në zgjedhjet e vitit 2025.
Kurti tha se partia e tij synon rritje të mëtejshme të mbështetjes, duke vendosur si objektiv arritjen e 60% të votave.
“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo është e mundur”, deklaroi ai.
Ai akuzoi opozitën për bllokim të proceseve institucionale, duke theksuar se sipas tij, veprimet e saj nuk kanë arritur të ndalin mbështetjen qytetare për LVV-në.
“Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se zgjedhjet mund të jenë të nevojshme për faktorë politikë të caktuar, por jo sipas tij për vullnetin e qytetarëve.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi si të vetme ose në koalicion.