
Autoritetet italiane kanë vendosur në pranga ish-ambasadorin e Italisë në Tashkent, Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, së bashku me bashkëpunëtoren e tij Tatiana Tarakanova, të akuzuar për një skemë të dyshuar të paligjshme për lëshimin e vizave Schengen, përcjell La Repubblica.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Romës, të dy dyshohen për favorizim të imigracionit të paligjshëm dhe korrupsion për akte në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Hetuesit e Guardia di Finanza kanë konstatuar se, nga ambasada italiane në Tashkent, dy zyrtarët dyshohet se kanë krijuar një sistem për lëshimin e vizave turistike afatgjata për qytetarë rusë pa plotësuar kriteret ligjore.
Sipas dosjes hetimore, aplikantëve u kërkoheshin shuma nga 4,000 deri në 16,000 euro për viza që normalisht kushtojnë 45–60 euro. Skema dyshohet se përfshinte edhe agjenci turistike me bazë në Moskë dhe komunikime përmes platformave të ndryshme, përfshirë Telegramin.
Hetimet tregojnë se të paktën 95 qytetarë rusë kanë përfituar nga këto viza, shpesh pa u paraqitur fizikisht në ambasadë dhe pa dokumentacionin e plotë të kërkuar.
Rasti u zbulua pas një inspektimi të Ministrisë së Jashtme italiane në vitin 2025, i cili evidentoi parregullsi të shumta në procesin e lëshimit të vizave.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu rreth 400 aplikime të tjera dhe pasurinë e ish-ambasadorit, e cila vlerësohet rreth 3 milionë euro, ndërsa i dyshuari ka pretenduar se ajo buron nga një trashëgimi.