
Një raport i ri nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme (IRENA) tregon se kostoja e ruajtjes së energjisë me bateri ka rënë mbi 90% që nga viti 2010, duke ulur ndjeshëm edhe koston e energjisë së rinovueshme dhe duke e bërë atë gjithnjë e më konkurruese me lëndët djegëse fosile, përcjell Euronews.
Sipas raportit, kombinimi i energjisë diellore, erës dhe baterive tashmë mund të prodhojë energji elektrike 24 orë në ditë me çmime të krahasueshme me centralet e reja me qymyr dhe në disa raste edhe më të lira se gazi natyror.
Në rajone me burime të forta dielli dhe ere, energjia diellore e kombinuar me bateri kushton rreth 50–75 euro për megavat-orë, ndërsa centralet e reja me qymyr në disa tregje arrijnë 60–75 euro, dhe gazi mbi 88 euro për megavat-orë.
Rënia e shpejtë e kostove është e dukshme në të gjitha teknologjitë kryesore: bateritë kanë rënë me 93%, panelet diellore me 87% dhe energjia e erës në tokë me 55% që nga viti 2010.
Raporti thekson gjithashtu se këto sisteme të kombinuara e bëjnë më të qëndrueshëm furnizimin me energji dhe ulin varësinë nga tregjet e paqëndrueshme të karburanteve fosile, të ndikuara shpesh nga kriza gjeopolitike dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
Në Europë, përdorimi më i madh i energjive të rinovueshme ka ndikuar në uljen e çmimeve të energjisë me gati 25% në disa vende gjatë periudhës 2023–2025, ndërsa kursimet vjetore për konsumatorët vlerësohen në miliarda euro.
IRENA parashikon se deri në vitin 2035, projektet e mëdha të energjisë diellore dhe baterive mund të ofrojnë energji të vazhdueshme me kosto edhe më të ulët, duke forcuar më tej rolin e energjisë së pastër në tregjet globale.