Qeveria pro-evropiane në Rumani është rrëzuar këtë të martë, pasi parlamenti votoi pro një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Ilie Bolojan, duke e futur vendin në një tjetër periudhë pasigurie politike.
Mocioni u mbështet nga 281 deputetë, ndërsa vetëm katër votuan kundër. Nisma u ndërmor nga Partia Social Demokrate e Rumanisë, e cila ishte larguar nga koalicioni në fund të prillit, në bashkëpunim me partinë e djathtë ekstreme Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, përcjell Euronews.
Deputetët e partisë së Bolojanit, Partia Liberale Kombëtare, si dhe aleatët e tij në koalicion, nuk morën pjesë në votim.
Para votimit, Bolojan e cilësoi mocionin si “cinik dhe artificial”, duke theksuar se qeveria e tij kishte ndërmarrë masa të vështira, por të domosdoshme për stabilizimin ekonomik të vendit.
“Mora këtë detyrë duke e ditur presionin e madh dhe pa pritur duartrokitje. Zgjodha të bëj atë që ishte urgjente dhe e nevojshme për vendin,” deklaroi ai.

Rumania përballet prej kohësh me paqëndrueshmëri politike, e thelluar që pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale në dhjetor 2024. Vendi po përjeton një nga deficitët më të larta buxhetore në Bashkimin Europian, inflacion të lartë dhe një recesion teknik.
Partia Social Demokrate akuzoi Bolojanin se ka dështuar të zbatojë reforma reale gjatë 10 muajve në pushtet, ndërsa kundërshtoi masat shtrënguese si rritja e taksave, ngrirja e pagave dhe pensioneve, si dhe shkurtimet në administratë.
Nga ana tjetër, lideri i AUR, George Simion, deklaroi se qytetarët prisnin përmirësim të kushteve të jetesës, por morën “taksa, luftë dhe varfëri”.
Kriza aktuale pritet të zgjasë, pasi asnjë forcë politike nuk ka shumicë të qartë për të formuar qeverinë e re.
Sipas analistëve politikë, presidentit do t’i duhen javë për të gjetur një shumicë parlamentare dhe për të emëruar një kryeministër të ri, duke zgjatur më tej paqartësinë politike në vend.

