Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Zgjedhje më 30 qershor nuk ka, orës së Ramës i ka ardhur fundi


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se shqiptarët e meritojnë dhe do i kenë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe kjo pas largimit të Edi Ramës si kryeministër i qeverisjes kriminale.

Ajo falenderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive në protesta kundër Ramës si dhe mediat për mbulimin e protestave të opozitës së bashkuar.

“Së pari dua të falënderoj të gjithë ata qytetarë që janë mbledhur sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ por edhe të gjithë ata shqiptarë që besojnë në Zot dhe që gjejnë forcën dhe besimin për t’u ringritur dhe për të ringjallur shpresën te fëmijët e tyre dhe të rinjtë shqiptarë. Së dyti, dua t’ju falënderoj ju medieve, ju gazetarëve të terrenit që nuk iu ndatë në asnjë moment protestave të opozitës, pavarësisht presionit, pavarësisht çdo shantazhi që ushtrohet ndaj jush. Ju keni qenë në maksimum prezent për të qenë realist. Ndërkohë nga ana tjetër i dua të jem shumë mirënjohëse të gjithë atyre qytetarëve të Tiranës që janë përgjigjur kërkesës së opozitës, e cila nuk është thjesht një kërkesë politike, por mbi të gjitha është një kërkesë që ka të bëjë me mbijetesën e shqiptarëve. Kam edhe një mesazh për Edi Ramën që besoj që nuk do të jetë në zyrën e tij, si gjithmonë, por duhet që me gjithë ata njerëz aty në shesh ai e di shumë mirë që në 1 sekondë zyra e tij pushtohet, por ky është një mesazh për të që ai të kuptojë që do të jetë shumë më keq për të nëse qytetarët do t’i hynë në zyrë. Prandaj duhet t’i japë mundësinë shqiptarëve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, të çlirojë Partinë Socialiste nga kapja që i ka bërë në mënyrë që të ringjallë sado pak shpresën te socialistët, por edhe te shqiptarët.” – tha Kryemadhi.

Më tej ajo shtoi se protesta nuk është për pushtet por për të larguar njëherë e mirë qeverisjen kriminale si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryemadhi theksoi se ka ardhur koha që të ketë mundësi dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët.

“Nuk është sot akti final. Akti final vjen për rrëzimin e kapjes së shtetit dhe akti final vjen kur shqiptarët të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është një proces i cili do të vazhdojë akoma edhe disa ditë, apo edhe një periudhë kohe të shkurtër, pavarësisht se për qytetarët dhe për mediat duket e gjatë, sepse varfëria është jashtëzakonisht e madhe, mundësia për të ndryshuar realitetet brenda familjeve shqiptare që nuk kanë mundësi për të ushqyer dhe shkolluar fëmijët e tyre, për të paguar faturat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm apo taksat e bashkive janë jashtëzakonisht të mëdhaja. Ajo që po ndodh këtu dhe është shumë e rëndësishme është sensibilizimi dhe falënderimi më i madh është që çdo protestë që bëhet njerëzit sa vjen dhe marrin pjesë më shumë dhe kjo do të thotë që ne kemi qenë në rrugën e duhur si opozitë, e kemi filluar me djegien e mandateve që ka qenë një veprim vërtet i paprecedent për ndërkombëtarët mund të themi, por ka qenë një veprim i domosdoshëm për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë që Shqipëria nuk është fasadë e një qeveria apo shteti të kapur. Ajo që dua të them dhe që mendoj që është sot gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ata deputetë që dogjën mandatet e tyre dhe që pranuan të jenë pjesë e kësaj lëvizjeje treguan në një farë mënyre që edhe pse jemi ne shkaktarë të krijimit të kësaj situate, sepse kjo klasë politike i dha fuqi dhe pushtet maksimal Edi Ramës që ishte përfaqësues i krimit të organizuar, të paktën na ka ngelur një fije ndërgjegje dhe kemi një detyrim moral dhe politik ndaj qytetarëve shqiptarë për të qenë edhe ne si ata dhe për të qenë në krye të këtyre protestave popullore.” – shtoi ajo.

Në fund Kryemadhi tha se zgjedhje em 30 qershor nuk do ketë dhe për këtë iu referua edhe listës së kandidatëve të PS-së  ndërsa ka dhënë një mesazh edhe për ndërkombëtarët.

“Kur kam parë listën e kandidatëve që ka propozuar sot Partia Socialiste aty kam kuptuar që zgjedhjet lokale Edi Rama po punon për ti shtyrë. Kjo është mëse e kuptueshme. Ka ata deputetë, të cilët kërkon ti largojë nga Kuvendi, sepse nuk ndihet i sigurt me deputetët e tij socialistë dhe nga ana tjetër po të shikosh janë thjesht kandidatë kalimtarë.

Zgjedhje nuk do të ketë. Kjo është shumë e qartë. Dhe unë jam e bindur. Po të shikoni në Shqipërinë më të rrudhur, është prapë protesta. Vijmë me 16 shkurtin, vijmë me protesta e tjera, të cilat kanë ardhur duke u shtuar. Sot janë dyfishi i protestës së kaluar. Kjo më jep shpresë, kjo më entuziazmon për të kuptuar që njerëzit janë sensibilizuar, njerëzit nuk janë dakord me arrogancën e qeverisë së Edi Ramës, dhe njerëzit mbi të gjitha kanë kuptuar që reagimi është domosdoshmëri për të ndryshuar realitetin.

Sepse kemi qenë ne ata që kemi kërkuar që këtë gjë do ta zgjidhim vetë ne. Tashmë shqiptarët nuk mund të mbajnë më sëmundjen brenda trupit të tyre dhe të lyejnë me makijazh të sëmurin që po lëngon. Sot kërkohet një ndërhyrje e thellë e menjëhershme, e dimë që do të jetë e vështirë, e dimë që do të jetë e lodhshme, e dimë që do të jetë drobitëse por ajo që është më e rëndësishme është që ne duhet ti japim njëherë e përgjithmonë dërrmën kësaj sëmundjeje të rrezikshme që ka emrin e tranzicionit që bashkëngjitet bashkë me krimin e organizuar. Edhe një gjë tjetër për ndërkombëtarët që flasin për çështjen e precedentit, po e them nga kjo protestë kaq e madhe, që është një nga protestat më të mëdha që është bërë ndonjëherë në rajon edhe pse jemi populli më i vogël, edhe pse jemi populli më i varfër, edhe pse jemi populli më i papërkrahur nga ndërkombëtarët.” – mbylli Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *