Vendosni fjalën kyçe....

Debat në Kushtetuese për komisionet hetimore, Bardhi: Na mohohet e drejta për kontroll parlamentar



Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet ankimi i deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore në Kuvend, që lidhen me çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë seancës, deputeti i PD-së Gazment Bardhi ngriti shqetësimin se opozitës po i mohohet e drejta për ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese, përfshirë interpelancat dhe kërkesat për informacion ndaj qeverisë.

Sipas tij, Kuvendi nuk pranon asnjë kërkesë për interpelancë dhe as kërkesa për marrje informacioni, duke e bërë të pamundur kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit.

“Ky gjykim ka të bëjë me pyetjen nëse jemi republikë parlamentare që funksionon sipas Kushtetutës apo një republikë me vullnet të një partie”, u shpreh Bardhi, duke shtuar se çdo kërkesë e opozitës është refuzuar me arsye të ndryshme.

Ai theksoi gjithashtu se komisionet hetimore janë instrument për kontrollin e qeverisë dhe nuk mund të zëvendësohen nga mekanizma të tjerë administrativë apo penalë.

Bardhi iu referua edhe çështjes “McGonigal”, duke thënë se ekzistojnë dokumente zyrtare dhe hetime të nisura nga autoritetet amerikane dhe Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, të cilat sipas tij e justifikojnë kërkesën për hetim parlamentar.

“Prokuroria mund të hetojë, por kjo nuk na heq të drejtën kushtetuese për hetim parlamentar”, u shpreh ai.