Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna ndaj 15-vjeçarit që bënte xhiro me biçikletë, pezullohet një efektiv


Pas videos ku një grup policësh po dhunonin një djalë 15-vjeçar në zonën e Parkut të Liqenit Artificial, një efektiv është pezulluar nga detyra.

Polici me inicialet G. N, u pezullua nga detyra ndërsa thuhet se vijojnë hetimet për 3 efektivët e tjerë të pranishëm në vendngjarje dhe që ndihmuan në shoqërimin e të miturit në komisariat. Po ashtu policia thotë se ka ndëshkuar me masë administrative dy të miturit që kishin dalë xhiro me biçikletë jashtë orarit të lejuar.

“Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjës policie, i cili ka kryer shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë G.N, pranë Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Drejtoria e Standardeve Profesionale do të grumbullojë dhe analizoje të gjitha provat dhe në fund te hetimit do jepet masa sipas shkallës së shkeljes.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka ndeshkuar me mase administrative sipas Aktit Normativ, 2 te rinjte qe u konstatuan se kishin thyer orarin e ndalim-qarkullimit dhe kishin dale per shetitje me biçiklete, ne shkelje te masave per parandalimin e pandemise COVID-19.

Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”-thuhet në njoftimin e policisë.

Ditën e djeshme videoja e këtij incidenti u bë virale në rrjet duke shkaktuar mjaft polemika, për shkak se policë në uniformë dhunonin një të mitur që kishte dalë të bënte xhiro me biçikletë jashtë orarit të lejuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *