Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka komentuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas përplasjes publike me Presidentin Donald Trump lidhur me luftën në Iran, duke u përpjekur të zbusë tensionet mes dy vendeve, përcjell DW.
Në një intervistë për median gjermane ARD, Merz theksoi se marrëdhënia transatlantike mbetet thelbësore për Gjermaninë, duke deklaruar: “Nuk heq dorë nga puna për marrëdhënien transatlantike. As nuk heq dorë nga bashkëpunimi me Donald Trump”.
Ai minimizoi gjithashtu njoftimin e SHBA-së për tërheqjen e 5 mijë trupave nga bazat në Gjermani, duke u shprehur se një vendim i tillë nuk ishte i papritur dhe nuk lidhet me mosmarrëveshjet e fundit mes dy palëve.
Sa i përket luftës në Iran, Merz pranoi se ekzistojnë dallime në qasje mes SHBA-së dhe disa vendeve europiane, por theksoi se qëllimi mbetet i përbashkët: parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore.
“Ne kemi një këndvështrim të ndryshëm për këtë luftë. Kjo nuk është sekret. Por kjo nuk ndryshon faktin që amerikanët janë partnerët tanë më të rëndësishëm në aleancën e Atlantikut të Veriut”, u shpreh ai.
Deklaratat e Merz vijnë në një moment tensionesh të shtuara mes SHBA-së dhe disa aleatëve europianë, ndërsa përplasjet diplomatike janë shoqëruar edhe me masa ekonomike, si rritja e tarifave amerikane për automjetet nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë, kancelari gjerman la të kuptohet se një plan i mëparshëm për vendosjen e raketave amerikane Tomahawk në Gjermani mund të mos realizohet për momentin, duke përmendur mungesat në kapacitetet amerikane për shkak të angazhimeve në konflikte të tjera.