Vendosni fjalën kyçe....

Rriten ndjeshëm çmimet në tregjet e Beratit, shtrenjtohen fruta-perimet dhe produktet bazë



Në tregjet e qarkut të Beratit është shënuar një rritje e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore gjatë dy javëve të fundit, duke prekur veçanërisht fruta-perimet dhe artikujt bazë të konsumit.

Sipas vëzhgimeve në terren, çmimet e disa produkteve të shportës janë rritur ndjeshëm, ndërsa në disa raste janë raportuar edhe dyfishime, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve.

Banorët shprehen se shtrenjtimi ka përfshirë pothuajse të gjitha produktet bazë, ndërsa më të prekurit janë pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, të cilët e kanë gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostos së jetesës.

Sipas tyre, një lehtësim i lehtë vihet re vetëm gjatë ditëve të tregut, kur tregtarë nga zonat rurale ofrojnë çmime më të ulëta, por kjo nuk mjafton për të zbutur situatën e përgjithshme.

Edhe vetë tregtarët konfirmojnë rënie të konsumit nga dita në ditë, si pasojë e rritjes së çmimeve.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet për të stabilizuar tregun dhe për të lehtësuar barrën ekonomike që, sipas tyre, po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme.