
Një apartament në katin e gjashtë të një pallati në kompleksin “Kika 1” në kryeqytet është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave zjarrfikëse për neutralizimin e zjarrit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, zjarri ka rënë rreth orës 10:00 në rrugën “Prokop Mina”, në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase. Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa dyshohet se një shtetas që banonte një kat më sipër është asfiksuar nga tymi.
Ky shtetas është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e zjarrfikëses kanë arritur të vënë nën kontroll situatën, ndërsa në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e zjarrit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.