
Gati një muaj pas fillimit të armëpushimit me Iranin, dhe me mundësinë e një lufte të përtërirë ende mbi tavolinë, thellësia e dëmit në bazat e SHBA-së në rajon po bëhet e qartë: të paktën 16 objekte ushtarake amerikane në tetë shtete, praktikisht shumica e bazave të SHBA-së në Lindjen e Mesme, u dëmtuan nga sulmet iraniane gjatë luftës.
Sipas një investigimi të CNN, disa nga pikat që u goditën janë aktualisht të papërdorshme.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në bazat e SHBA-së,” tha një person i njohur me çështjen.
“Këto ishin sulme të shpejta dhe të sakta, duke përdorur teknologji të avancuar.”
Mes bazave të SHBA-së që u goditën ishin objekte në Kuvajt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Jordani dhe Irak.
Objektivat iranianë përfshinin avionë të avancuar, mes tyre avionin vëzhgues amerikan E-3 Sentry, i njohur si “sytë e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik”, i cili u shkatërrua në bazën ajrore “Prince Sultan” në Arabinë Saudite; pajisje kritike komunikimi, përfshirë objektet e shkatërruara në “Camp Arifjan” në Kuvajt; dhe sisteme radari, si ato të dëmtuara në bazën ajrore “Muwaffaq Salti” në Jordani.

“Sistemet tona të radarëve janë aseti ynë më i shtrenjtë dhe më i kufizuar në rajon,” tha burimi.
Baza të tjera të goditura në sulmet iraniane përfshinin bazën ajrore “Al Udeid” në Katar, e cila u godit në dy sulme të ndryshme, “Naval Support Activity” në Bahrein dhe “Camp Buehring” në Kuvajt.
Irani ishte në gjendje të godiste kaq shumë baza me saktësi kryesisht për shkak të përmirësimit dramatik në aftësinë e tij për të “parë armikun.” Në vitin 2024, Irani bleu fshehurazi një satelit kinez TEE-014, një përmirësim madhor mbi satelitët që kishte përdorur deri atëherë, duke i dhënë aftësinë për të parë bazat e SHBA-së me saktësi të jashtëzakonshme, aftësi këto pothuajse identike me ato që zotërojnë Shtetet e Bashkuara, shkruan Ynet.

Vendet në rajon ndjenë se bazat e SHBA-së kishin kaluar nga të qenit një forcë që ngjallte frikë te kundërshtarët, në diçka që ngjante me “shënjestra të lehta”. Një zyrtar saudit tha se lufta i tregoi Arabisë Saudite se aleanca e saj me Shtetet e Bashkuara nuk mund të ishte ekskluzive dhe nuk ishte “e patëmetë.”
Një zyrtar i Pentagonit tha në përgjigje: “Ne nuk diskutojmë vlerësimet e dëmeve të betejës nga lufta për arsye sigurie. Forcat tona mbetën plotësisht operacionale dhe ne vazhdojmë të kryejmë misionin tonë me të njëjtin nivel gatishmërie dhe efektiviteti.”
