
Një operacion i gjerë kundër narkotikëve është zhvilluar nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Aksioni po shtrihet njëkohësisht në disa zona të qarkut, përfshirë Prrenjasin, Librazhdin dhe qytetin e Elbasanit, ku po kryhen kontrolle në ambiente të dyshuara për veprimtari të paligjshme.
Mësohet se me vendim të Gjykatës janë lëshuar rreth 20 urdhërkontrolle për banesa, ndërsa njëkohësisht janë ekzekutuar edhe disa masa ndalimi ndaj personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni vijon ende, ndërsa pritet që në orët në vijim Policia e Shtetit të japë një njoftim zyrtar me detaje të plota mbi rezultatet dhe personat e përfshirë.