Vendosni fjalën kyçe....

“Procesi ishte transparent, më 23 maj Sali Berisha rikonfirmohet në krye të PD-së” – Lela


Drejtori i Komunikimit në PD Alfred Lela pohoi mbrëmjen e sotme se më 23 maj Sali Berisha do rikonfirmohet në krye të selisë blu.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Lela tha se procesi ka qenë transparent ndërsa dy kandidatura janë rrëzuar për arsye që kanë të bëjnë me Statutin.

“Më 23 maj ka rikonfirmim të kryetarit të PD, të zotit Sali Berisha. Procesi i garës ka qenë i hapur dhe transparent, siç edhe ju e keni parë. Dy kandidatura janë rrëzuar nga Komisioni i Zgjedhjeve në PD, për arsye që kanë të bëjnë me Statutin, për arsye se profili i tyre, i një zonje dhe i zotërie, nuk i plotëson, po themi, kriterin e profilit të lartë politik për të qenë në garë për kryetar të Partisë Demokratike. Kjo, mendoj që edhe dokumenti ka dalë, edhe procesi ka qenë në sy të kamerave dhe rrjedhimisht në sy të opinionit publik. S’ka pasur asgjë për të fshehur, ka qenë çdo gjë transparente dhe e kthjellët”, tha ai.

Zonja është anëtare e Partisë Demokratike, e plotëson këtë kriter, por nuk plotëson disa prej kritereve të tjera, dy më të rëndësishmet: profili i lartë politik dhe publik, të cilin zonja nuk e ka. Pra, mund të jetë, jam i sigurt që është e njohur në komunitetin e mjekëve dhe në komunitetin ku ajo jeton, por nuk është e njohur publikisht, pra, nuk është një emër, një profil që i thotë diçka Shqipërisë. Dhe ta pranojmë që dy partitë e mëdha, Partia Demokratike, që është një ndër dy partitë më të mëdha në vend, meriton dikë të njohur me aktivitet të gjerë publik. Nuk është se ka ndonjë hile këtu. Mendoj që duhet të biem dakord te kjo. Nuk mund të jetë një i panjohur ose e panjohur kandidat për kryetar partie, pasi kjo do ta minonte garën më shumë sesa të lihej të bëhej një garë, sepse gara atëherë do të ishte e pavërtetë dhe e papërmbushur.” – tha Lela.