Irani ka dërguar një propozim të rishikuar për armëpushim drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ndërmjetësve nga Pakistani, në një përpjekje për të zhbllokuar negociatat për përfundimin e luftës, pavarësisht retorikës së ashpër mes palëve.
Sipas mediave shtetërore iraniane, detajet e propozimit nuk janë bërë publike, por ai vjen në një moment kur tensionet mbeten të larta dhe dialogu diplomatik vijon paralelisht me përgatitjet ushtarake.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë një raport nga Komanda Qendrore e SHBA-së mbi opsionet e reja ushtarake ndaj Iranit.
Sipas raportimeve, një nga skenarët përfshin një valë të shkurtër, por intensive goditjesh ndaj infrastrukturës iraniane, me synimin për të ushtruar presion mbi Teheranin që të rikthehet në tryezën e bisedimeve me qëndrime më fleksibël për programin bërthamor, përcjell Ynet.
Gjithashtu, janë shqyrtuar edhe plane për marrjen nën kontroll të pjesëve të Ngushtica e Hormuzit për të garantuar lëvizjen e lirë të anijeve tregtare, si dhe një operacion i mundshëm për sekuestrimin e uraniumit të pasuruar që ndodhet në Iran.
Megjithëse Trump ka kërcënuar më herët me përshkallëzim, që prej shpalljes së armëpushimit më 7 prill ai ka treguar prirje për të vijuar me rrugën diplomatike, duke kombinuar presionin ekonomik me negociatat.
Në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror, udhëheqësi suprem i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei, theksoi se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga kapacitetet bërthamore dhe raketore.
“90 milionë iranianë do të mbrojnë kapacitetet bërthamore dhe raketore si pasuri kombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ai shtoi se Irani synon të mbajë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global.
“Rregullat ligjore dhe menaxhimi i ri i Hormuzit do të sjellin stabilitet dhe zhvillim për rajonin”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se SHBA “nuk ka vend në Gjirin Persik”.
Sipas raportimeve, Irani ka filluar gjithashtu të aplikojë tarifa tranziti deri në 2 milionë dollarë për anijet që kalojnë nëpër këtë ngushticë, veprim që është kritikuar nga vendet e Gjirit, të udhëhequra nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Analistët paralajmërojnë se nëse lufta përfundon me Iranin që ruan kontrollin mbi Hormuzin dhe përfiton ekonomikisht prej tij, kjo mund të ndryshojë ndjeshëm balancat gjeopolitike në rajon.
