Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kritika në dëgjesën për Territorialen: Bashkitë s’mund të jenë ndërmarrje punësimi


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësime lidhur me funksionimin aktual të pushtetit vendor në Shqipëri.

Si anëtare e Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, ajo i shprehu këto qëndrime gjatë një dëgjese të këtij komisioni, duke iu referuar edhe përvojës së saj në reformën territoriale të vitit 2014 dhe rolit të mëparshëm si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.

Sipas Tabakut, problematikat aktuale burojnë nga mënyra si është konceptuar reforma, të cilën ajo e cilësoi të ndërtuar mbi baza politike dhe jo funksionale. Ajo argumentoi se kjo qasje ka sjellë pabarazi dhe mungesë eficience në nivel vendor.

Deputetja theksoi gjithashtu se pushteti vendor sot karakterizohet nga mungesë përfaqësimi real dhe një centralizim i lartë financiar. Sipas saj, 61% e fondeve që shpërndahen nga qeveria qendrore përqendrohen në vetëm 10 bashki, duke krijuar diferenca të mëdha mes njësive vendore.

Një tjetër kritikë lidhej me mënyrën e përdorimit të të ardhurave nga bashkitë. Tabaku nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së të ardhurave shkon për paga dhe jo për shërbime publike. “Bashkitë nuk mund të jenë ndërmarrje punësimi, por institucione që ofrojnë shërbime”, u shpreh ajo, duke shtuar se pesha e pagave në buxhetet vendore është rritur ndjeshëm.

Në përfundim, ajo kërkoi një reformë të re që të garantojë decentralizim real, duke u dhënë bashkive më shumë kompetenca dhe kontroll mbi të ardhurat që gjenerohen në territorin e tyre. Tabaku theksoi se kriteri kryesor nuk duhet të jetë madhësia e bashkive, por aftësia për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve: “Bashki më të mëdha nuk do të thotë bashki më të forta apo më pranë qytetarëve. Shqipëria ka nevojë për bashki europiane – dhe sot nuk i ka”, përfundoi ajo.