
Bordi i SpaceX ka miratuar një plan kompensimi për themeluesin Elon Musk me objektiva po aq futuriste sa edhe ambiciet e kompanisë: kolonizimin e Marsit dhe funksionimin e qendrave të të dhënave në hapësirë.
Detajet e paketës së gjerë të pagesës për Musk, të cilat nuk janë raportuar gjerësisht, u zbuluan në dokumentet konfidenciale të regjistrimit të depozituara së fundmi pranë Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC) dhe të shqyrtuara nga Reuters javën e kaluar.
Shpërblimet ambicioze që SpaceX i ofron Musk tregojnë sfidën për të mbajtur vëmendjen e sipërmarrësit serial, ndërsa ai përgatitet ta çojë kompaninë në bursë. Ato gjithashtu mund të krijojnë tensione mes investitorëve të SpaceX dhe aksionarëve të Tesla-s, ku Musk është CEO, sipas ekspertëve të qeverisjes korporative.
Duke lidhur vizionet e fantashkencës me objektiva financiarë, bordi i SpaceX në janar miratoi një paketë që do t’i japë Musk 200 milionë aksione të kufizuara me të drejtë votimi të shtuar nëse kompania arrin një vlerë tregu prej 7.5 trilionë dollarësh dhe krijon një koloni të përhershme njerëzore në Mars me të paktën 1 milion banorë, sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Reuters.
Paketa përfshin gjithashtu deri në 60.4 milionë aksione të tjera të kufizuara, të dhëna më 23 mars, nëse SpaceX arrin objektiva të veçantë vlerësimi dhe operon qendra të të dhënave në hapësirë që ofrojnë të paktën 100 teravat kapacitet përpunimi – një sasi kolosale energjie e barabartë me rreth 100,000 reaktorë bërthamorë me kapacitet 1 gigavat që punojnë njëkohësisht.
Të dyja shpërblimet përfshijnë aksione të klasës B me të drejtë votimi të shtuar (10 vota për çdo aksion kundrejt 1 vote për aksionet e klasës A) dhe jepen gradualisht ndërsa rritet vlera e kompanisë.
Shpërblime me kushte dhe opsione aksionesh
Megjithatë, Musk nuk do të marrë asnjë aksion nëse kompania nuk arrin objektivat e përcaktuara nga bordi, të cilat nuk janë të lidhura me një afat kohor specifik përveç vazhdimit të punës së tij në kompani. Ai ka marrë një pagë simbolike prej 54,080 dollarësh në vit nga SpaceX që nga viti 2019.
Vlera e paketës nuk mund të përcaktohet saktësisht pasi SpaceX është kompani private. Kompania synon një ofertë publike fillestare (IPO) rreth 28 qershorit, ditëlindja e Musk, që mund ta vlerësojë atë rreth 1.75 trilionë dollarë.
Deri më 31 dhjetor, Musk zotëronte 68.8 milionë opsione aksionesh të klasës B me çmim ushtrimi rreth 42 dollarë, që skadojnë në vitin 2031, duke i dhënë mundësinë të përfitojë nga çdo rritje mbi këtë vlerë.
Musk tashmë ka një pasuri prej rreth 776 miliardë dollarësh sipas Forbes. Përveç SpaceX, ai mund ta dyfishojë atë nëse arrin objektiva të ngjashëm ambiciozë edhe te Tesla, ku zotëron rreth 20% të aksioneve.
Objektiva të paprecedentë
Eksperti i kompensimeve ekzekutive Eric Hoffmann tha se nuk ka parë ndonjë paketë të ngjashme në kompani të tjera.
“Nuk jam fizikant apo astronom dhe nuk do dija nga t’ia filloja,” tha ai. “Kriteri është: a është bërë ndonjëherë në historinë njerëzore? Këto jo. Prandaj është e vështirë.”
Ai shtoi se tani SpaceX dhe Tesla, në thelb, po konkurrojnë për vëmendjen e Musk.
“Është interesante që të dyja kompanitë, të kontrolluara nga Musk, po konkurrojnë mes tyre për kohën dhe fokusin e tij,” tha Hoffmann.
Edhe Courtney Yu nga Equilar theksoi se objektivat si kolonizimi i Marsit dhe ndërtimi i qendrave të të dhënave në hapësirë janë të pazakonta, pasi shumica e kompanive përdorin tregues financiarë si fitimet apo të ardhurat për të përcaktuar pagat e drejtuesve.
Megjithatë, ai tha se një objektiv si vlera 7.5 trilionë dollarë ndihmon për të vendosur pritshmëritë e investitorëve mbi ambiciet reale të kompanisë, shkruan Reuters.