Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk ndodh as në rajon, BE apo SHBA”- Veliaj kërkoi gjyq live, Dumani: Ne s’kemi problem, mund të shqetësojë procesin


Seanca për gjyqin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nuk po transmetohet live për mediat. Gjyqtarja e GJKKO, Engjëllushe Tahiri e rrëzoi kërkesën eVeliajt me argumentin se dy prej të pandehurve, Elman Abule dhe Adela Kondakçiu, nuk pranuan që seanca të transmetohet live.

Në seancën gjyqësore për dosjen ndaj Erion Veliaj në GJKKO, janë zhvilluar debate mes palëve lidhur me kërkesën për transmetim live të procesit.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se publikimi i drejtpërdrejtë i seancave mund të ndikojë në proces, sidomos kur përfshihen dëshmitarë dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë.

“Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA.

Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.

Nga ana tjetër, pati replika mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit Plarent Ndreca, ku u shkëmbyen akuza për mënyrën e zhvillimit të procesit.

Ndreca u shpreh se mbrojtja nuk ka qëllim zvarritjen e procesit, por kërkon garantimin e një gjykimi të rregullt ligjor, duke theksuar se i pandehuri ka interes që çështja të ecë sa më shpejt.

Dado: “Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se ka kërkuar fjalën prokurori.”

Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh: Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.

Ndreca iu përgjigj: Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor.