Vendosni fjalën kyçe....

Masa të rrepta sigurie për ndeshjen AF Elbasani–Vllaznia, bllokime qarkullimi rreth stadiumit


Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit ndërmjet AF Elbasani dhe Vllaznia Shkodër, e cila do të zhvillohet këtë të hënë, më 27 prill 2026, në orën 19:00, në stadiumin Elbasan Arena.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti sportiv do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në perimetrin përreth stadiumit. Lëvizja do të lejohet vetëm për mjetet e pajisura me autorizim të posaçëm, ku duhet të jenë të shënuara edhe targat e automjeteve.

Policia do të garantojë gjithashtu lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë këtyre itinerareve.

Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme si mjete të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Autoritetet bëjnë të ditur se nuk do të lejohet hyrja në stadium e shtetasve pa dokument identifikimi, ndërsa të miturit duhet të jenë të shoqëruar nga prindi ose kujdestari ligjor, gjithashtu të pajisur me dokument identifikimi.

Po ashtu, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium tifozë të identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive.

Policia e Elbasanit u bën thirrje tifozëve për mirëkuptim dhe respektim të masave të përcaktuara, si dhe qytetarëve për të shmangur lëvizjet me automjete në segmentet përreth stadiumit gjatë orarit të ndeshjes.