Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët në Kosoës protestë, zbardhin ministrinë me qumësht (Video)


Qindra fermerë nga gjithë Kosova u tubuan para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, që ishte ndërprerë prej katër ditësh dhe po u shkakton humbje të mëdha ekonomike.

Protesta nisi rreth orës 13:00, ku pjesëmarrësit mbërritën me traktorë dhe mjete të tjera bujqësore. Në shenjë revolte, fermerët derdhën sasi qumështi fillimisht në oborrin e ministrisë dhe më pas pranë hyrjes së institucionit.

Në një moment, protestuesit tentuan t’i afroheshin godinës së ministrisë, çka solli përplasje verbale dhe tensione të lehta me efektivët e policisë që ndodheshin në terren. Pavarësisht kësaj, ata vijuan protestën duke qëndruar pranë objektit.

Gjatë tubimit u shfaqën edhe pankarta me mesazhe si: “Fermeri nuk është armiku”, “Mos prekni vendet e punës”, “Mos na lini pa bukë” dhe “Puna jonë, e drejta jonë”, përmes të cilave protestuesit kërkuan mbështetje për sektorin e prodhimit të qumështit.

*Burimi i videos: Demos në TikTok