Vendosni fjalën kyçe....

Nis gjyqi në GJKKO ndaj Ilir Metës, ai kërkon transmetim live të seancave



Ka nisur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjyqi në themel ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Meta ka kërkuar me këmbëngulje që seancat gjyqësore të transmetohen live, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për transparencë të plotë ndaj publikut. Pak ditë më parë, ai i është drejtuar me një kërkesë të veçantë edhe Gjykatës së Posaçme lidhur me këtë çështje.

“Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”, është shprehur Meta në një reagim në rrjetet sociale.

Që prej 21 tetorit 2024, Meta nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka dhënë asnjë intervistë, ndërsa imazhi i fundit i tij mbetet momenti i arrestimit.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa pritet që në këtë proces të ketë përballjen e parë direkte me prokurorët në sallën e gjyqit, në prani të mediave, ku pritet të përcjellë edhe qëndrimet e tij publike.