Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Banorëve në jug po u blihen pronat me para të drogës, Rama po e trajton Shqipërinë si çiflig


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se zonat bregdetare të jugut po përvetësohen përmes parave me origjinë nga trafiku i drogës dhe se banorët po detyrohen të largohen nga pronat e tyre.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha iu referua edhe librit “Albanian Files”, të cilin e cilësoi si një aktakuzë ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit.

“‘Albanian Files’ është libri që tregon se Rama e trajton Shqipërinë si çiflig, të cilin ua ka dhënë baronëve të drogës. Për të, zonat më panoramike të vendit janë prona që u jepen trafikantëve për zhvillim,” u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi se në jug të vendit pronat po blihen me shuma të mëdha parash, të cilat, sipas tij, vijnë nga aktivitetet kriminale.

“Banorët po shpërngulen. Trafikantët po u shkojnë me trasta me para, ua blejnë pronat dhe po i largojnë nga trojet e tyre,” deklaroi ai.

Berisha shtoi se, sipas tij, brigjet shqiptare po përballen me një proces shpopullimi të nxitur nga investime që, siç pretendon ai, financohen me “narkoeuro”.

“Tentakulat e mafies së rrezikshme po rrafshojnë kodrat në jug dhe po shpopullojnë brigjet e Shqipërisë me narkoeuro,” tha Berisha.