
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, kanë pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.
Gjatë takimit, Kurti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, duke theksuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë. Ai nënvizoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një prioritet për garantimin afatgjatë të paqes dhe sigurisë në rajon.
“Patëm kënaqësinë ta prisnimin në zyrën e Kryeministrit së bashku me ministrin Maqedonci ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.
Gjatë takimit me ambasadorin Whitaker, e falënderova për mbështetjen e madhe, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës. Shpreha mirënjohjen time për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse.
Në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë. Në këtë drejtim përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte një kontribut i rëndësishëm dhe një garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Miqësia e Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe mbetet e fuqishme sepse është e ndërtuar në vlera të përbashkëta dhe besim të thellë mes të dy vendeve.”