Vendosni fjalën kyçe....

“A do mbajë përgjegjësi pas sekuestrimeve të SPAK?” –Këlliçi: Rama doli garant për Karçanajn



Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka reaguar pas njoftimit të SPAK për sekuestrimin e pasurive të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke sjellë në vëmendje deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Këlliçit, kreu i qeverisë kishte deklaruar publikisht se Karçanaj nuk dispononte shtëpi apo makinë dhe jetonte me qira, ndërsa zhvillimet e fundit, sipas tij, e rrëzojnë këtë pretendim.

Reagimi i tij vjen një ditë pasi SPAK bëri të ditur se i ka sekuestruar Karçanajt tre prona – dy banesa në Tiranë dhe një në Qerret – si dhe llogari bankare dhe një automjet tip “Tiguan”.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi thekson se Rama kishte dalë garant për ndershmërinë dhe pafajësinë e ish-drejtoreshës së AKSHI-t dhe se, sipas tij, tashmë është momenti për të mbajtur përgjegjësi.

“Edi Rama doli garant publikisht për ndershmërinë dhe pafajësinë e drejtoreshës së AKSHI-t, duke i bërë edhe presion drejtësisë. Ai ofroi dhe prova, kur tha se Karçanaj nuk ka shtëpi e as makinë. Dje zyrtarisht, SPAK ka bërë të ditur se ka bllokuar 3 prona që i përkasin drejtoreshës së Edi Ramës, në zonat më të shtrenjta në Tiranë e në bregdet, llogari bankare dhe asete të tjera”, shkruan Këlliçi.

Ai shton se bëhet fjalë për një çështje që, sipas tij, lidhet me një aktivitet kriminal me vlerë totale prej 40 milionë eurosh, duke përmendur edhe persona të tjerë të përfshirë.

“SPAK bën të ditur se rryshfetet merreshin në euro me prerje nga 100 në 500, të futura në kuti vere. Edi Rama po të kishte minimumin e dinjitetit dhe po të mbante sado pak përgjegjësi, duhej të jepte sot dorëheqjen”, shprehet deputeti demokrat.

Në përfundim, Këlliçi e cilëson situatën si një shkelje të rëndë etike dhe morale, duke theksuar se, sipas tij, largimi nga detyra do të ishte mënyra e vetme për të mbajtur përgjegjësi politike.