
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dhe deputetja Jorida Tabaku kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit për Çështjet Europiane në Senatin Italian, Giuliomaria Terzi di Sant’Agata.
Gjatë takimit, deputetët demokratë e njohën senatorin italian me zhvillimet politike në Shqipëri dhe rikonfirmuan mbështetjen e tyre për integrimin europian të vendit.
“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të çuar përpara këtë proces jetik për vendin, mbi të gjitha duke qenë të vërtetë dhe duke mos fshehur problematikat që mbajnë peng të ardhmen e Shqipërisë”, shprehen ata.
Sipas Bardhit, Partia Demokratike ndan qëndrimin me partnerët ndërkombëtarë se procesi i integrimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve europiane.
“Fatkeqësisht, sot Shqipëria nuk e përmbush këtë. Mazhoranca ka zhbërë shtyllat kryesore mbi të cilat funksionon një shtet demokratik, duke cenuar zgjedhjet e lira e të ndershme dhe duke u bërë mburojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruan Bardhi.