Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një denoncim të ri lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke akuzuar qeverinë për fshehjen e dështimeve diplomatike në Bruksel.
Sipas Berishës, që nga muaji mars, ekzekutivi ka zhvilluar një sërë takimesh që nuk janë bërë publike, me qëllim që të evitohet llogaridhënia për mungesën e rezultateve.
Lideri i opozitës theksoi se këto mbledhje kanë pasur si synim kalimin e raportit IBAR (Raporti i Ndërmjetëm i Vlerësimit të Kapitujve Themelorë), por që deri më tani nuk është arritur asnjë akord apo konsensus nga vendet anëtare.
“Nga marsi deri sot, janë organizuar në Bruksel një seri takimesh dhe mbledhjesh të mbajtura sekret nga qeveria, edhe pse përfaqësuesi i saj ka qenë aty. Janë fshehur nga opozita dhe qytetarët”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, tentativa e qeverisë për të përdorur “lobimin korruptiv” në vend të përmbushjes së meritave dhe kushteve demokratike po rezulton e pasuksesshme.
Ai shtoi se mosarritja e një ujdie për raportin IBAR tregon se çështjet themelore të shtetit të së drejtës mbeten ende problematike në sytë e Bashkimit Evropian.
“Nga takimet nuk u arrit asnjë ujdi apo konsensus që të kalojë raporti IBAR, një raport i ndërmjetëm i vlerësimit të çështjeve themelore në proces”, nënvizoi ai në fjalën e tij.
