Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Ramën për mbylljen e dosjes 1.2 mld euro me Ballukun: Protestat dhe kryengritja, më të domosdoshme se kurrë


Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lëshuar akuza të rënda ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke pohuar se ai ka bllokuar organin e akuzës për të mbyllur aferat korruptive që kapin vlerën e 1.2 miliardë eurove, ku përfshihet edhe ministrja Belinda Balluku.

Berisha theksoi se pavarësisht thirrjeve të vendeve të Bashkimit Evropian për të mos penguar drejtësinë, Rama ka arritur të asgjësojë dosjen hetimore përmes kontrollit mbi prokurorët. Sipas liderit demokrat, kjo situatë e bën “kryengritjen paqësore” të vetmen rrugë të mbetur për opozitën.

“Rama mendoi se mbylli aferat 1.2 mld Euro me Ballukun. Mbylli dyert përfundimisht organit të akuzës dhe mbylli dosjen Balluku. Kjo është e pamohueshme. Ndaj është më jetike se kurrë beteja jonë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te protesta e fundit kombëtare e 17 prillit, duke denoncuar atë që ai e quajti një sulm të planifikuar dhe brutal të policisë ndaj deputetëve dhe qytetarëve. Ai listoi mjetet e dhunës që sipas tij u përdorën në shesh, duke përfshirë granatat, sprajin “ari” dhe plumbat e gomës.

“Shpreh revoltën për sulmin brutal që iu bë deputetëve tanë. Sulm i planifikuar i organizuar ku u përdorën të gjitha mjetet e dhunës, granata, spraj ariu, spraj toksik e pompa uji”, tha ai.

Berisha shprehu solidaritetin me protestuesit e arrestuar, duke i cilësuar ata si të burgosur politikë dhe duke garantuar se qëndresa e tyre do të shndërrohet në një ndëshkim për regjimin aktual.

Ai bëri thirrje për përgatitje për protesta edhe më fuqishme, duke e konsideruar këtë si një mision historik për dinjitetin e vendit.