
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar nga Gjykata Administrative që seancat gjyqësore të transmetohen live për publikun.
Në kërkesën zyrtare, Veliaj thekson se synon zbatimin e plotë të parimit të transparencës, duke propozuar ose lejimin e kamerave të mediave në sallë, ose transmetimin e drejtpërdrejtë nga vetë Gjykata përmes një sinjali institucional.
“Lidhur me këtë proces, nëpërmjet kësaj kërkese, i drejtohem Gjykatës për të kërkuar që një parim themelor i këtij procesi, publiciteti i seancës, të realizohet në mënyrë të plotë dhe efektive, në përputhje me nenin 20 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, i cili përcakton se shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun.
Kërkesa që paraqes nuk lidhet me ndryshimin e këtij statusi, por me mënyrën konkrete se si ky parim duhet të realizohet në praktikë.
Më konkretisht, kërkoj nga Gjykata që të lejojë praninë e një kamere të mediave për transmetimin e drejtpërdrejtë të çdo seance, ose, në alternativë, që vetë Gjykata të mundësojë transmetimin live të çdo seance përmes një sinjali institucional të kontrolluar prej saj, në mënyrë që publiku të ketë akses të drejtpërdrejtë në zhvillimin e procesit”, thuhet në kërkesë.