Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata Mjekësore e Afrikës së Jugut: Omicron shkakton ‘sëmundje të lehtë’, s’e kuptojmë pse bëhet kaq shumë zhurmë


Varianti i ri ‘Omicron’ i Covid-19 çon në sëmundje të lehtë, pa simptoma të theksuara, tha Angelique Coetzee, kryetarja e Shoqatës Mjekësore të Afrikës së Jugut, të shtunën për Sputnik.

“Paraqet sëmundje të lehtë me simptoma dhimbje muskujsh dhe lodhje për një ose dy ditë që nuk ndihen aq shumë. Deri më tani, ne kemi zbuluar se të infektuarit nuk vuajnë nga humbja e shijes ose nuhatjes. Ata mund të kenë një kollë të lehtë. Nga të infektuarit disa aktualisht po trajtohen në shtëpi”, tha Coetzee.

Zyrtari vuri në dukje se spitalet nuk janë mbingarkuar nga pacientët e prekur Omicron dhe se lloji i ri nuk është zbuluar te personat e vaksinuar. Në të njëjtën kohë, situata mund të jetë e ndryshme për individët e pavaksinuar.

“Ne do ta dimë këtë vetëm pas dy javësh. Po, është i transmetueshëm, por tani për tani, si mjekë, ne nuk e dimë pse po nxitet kaq shumë zhurmë për sa kohë ne jemi ende duke e shqyrtuar. Do ta dimë vetëm pas dy tre javë pasi ka disa pacientë të pranuar në spital dhe këta janë të rinj të moshës 40 vjeç e lart”, shtoi Coetzee.

Ajo kritikoi gjithashtu vendimin e disa vendeve për ndalimin e fluturimeve nga Afrika e Jugut si të parakohshëm, sepse nuk ka informacion të mjaftueshëm se sa i rrezikshëm është.

Pas raportimeve për llojin e ri, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Izraeli, Australia dhe vende të tjera kanë kufizuar udhëtimin nga disa vende të Afrikës Jugore për shqetësime shëndetësore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të premten e identifikoi llojin e ri të Afrikës së Jugut si një lloj shqetësues, pasi raportohet se ka një numër të lartë mutacionesh, 32 të tillë, gjë që ndoshta e bën atë më të transmetueshëm dhe të rrezikshëm. OBSH e ka quajtur Omicron, shkronja e 15-të e alfabetit grek.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani