Përfaqësuesit e Izraelit dhe Libanit pritet të mbajnë një raund bisedimesh në Uashington këtë të enjte, duke shënuar diskutimet e para të këtij lloji që nga hyrja në fuqi e armëpushimit 10-ditor javën e kaluar.
Izraeli do të përfaqësohet në këto takime nga ambasadori i tij në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter.
Bisedimet vijnë në një kohë kur zyrtarët amerikanë po bëjnë presion për të shtyrë afatin e armëpushimit.
Kryetari i Parlamentit libanez, Nabih Berri, konfirmoi se Uashingtoni po kërkon një zgjatje të marrëveshjes, por nuk specifikoi nëse mbështet negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin, të cilat po shqyrtohen nga Presidenti Joseph Aoun.
“Kryetari i Parlamentit libanez Nabih Berri tha për Asharq Al-Awsat se Uashingtoni po shtyn për një zgjatje, por refuzoi të thotë nëse ai mbështet negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin”, thuhet në raport.
Sipas raportimeve, pala libaneze po insiston që takimi i Presidentit Aoun me Donald Trump të jetë dypalësh, pa praninë e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Vizita e Aoun në Uashington do të varet nga zhvillimet e ditëve në vijim dhe mundësia e shtyrjes së armëpushimit gjatë fundjavës.
Nga ana tjetër, Ministri i Energjisë i Libanit, Joe Saddi, sqaroi se një hartë e publikuar nga ushtria izraelite (IDF) për një “zonë mbrojtjeje detare” nuk cenon marrëveshjen e kufirit detar të arritur në vitin 2022.
“Nga pikëpamja ligjore, kjo hartë nuk ndryshon asgjë në lidhje me faktin se ekziston një marrëveshje për kufirin detar. Shumë thjeshtë, marrëveshja është në fuqi dhe asgjë nuk po ndryshon”, deklaroi Saddi për Reuters.
