Drejtori i FBI-së, Kash Patel, ngriti këtë të hënë një padi për shpifje kundër revistës “The Atlantic”, duke i cilësuar pretendimet e artikullit të fundit për konsum të tepërt të alkoolit dhe mungesa në detyrë si “të rreme dhe qartësisht të fabrikuara”.
Padia prej 19 faqesh, e depozituar në Distriktin e Kolumbias, kërkon një dëmshpërblim prej 250 milionë dollarësh.
Artikulli, i cili citonte disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë anonimë, pretendonte se “prezenca e parregullt e Patelit në selinë e FBI-së dhe në zyrat e terrenit” kishte vonuar vendime me rëndësi kritike kohore, përcjell CBS.
Po ashtu, në shkrim thuhej se ai njihet për konsumimin e alkoolit deri në pikën e dehjes së dukshme.
“Secila prej deklaratave dhe implikimeve të mësipërme është e rreme. Ato janë aq demonstruese dhe qartësisht të rreme, ose lehtësisht të rrëzueshme, saqë ishte në rastin më të mirë e pamatur publikimi i tyre”, thuhet në padi.
Nga ana tjetër, revista “The Atlantic” reagoi përmes një deklarate në rrjetin social X, duke mbrojtur raportimin e saj dhe gazetaren Sarah Fitzpatrick, e cila është gjithashtu e përfshirë në padi.
“Ne qëndrojmë pas raportimit tonë për Kash Patel dhe do të mbrojmë me forcë ‘The Atlantic’ dhe gazetarët tanë nga kjo padi e pabazë”, deklaroi revista.
Kjo është padia e dytë që Patel ngre lidhur me raportimet mediatike për jetën e tij private.
Vitin e kaluar, ai paditi Frank Figliuzzi-n, analist i MSNBC dhe ish-agjent i FBI-së, lidhur me pretendimin se Patel kalonte më shumë kohë në klube nate sesa në selinë e FBI-së. Kjo çështje është ende në proces gjyqësor në Teksas.
