Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim me studentë: Korrupsioni luftohet me reforma strukturore dhe transparencë totale



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me studentë të shkollës franceze Sciences Po, ku diskutimet janë fokusuar te korrupsioni, ekonomia dhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha deklaroi se lufta kundër korrupsionit kërkon reforma strukturore, përfshirë uljen e barrës administrative, thjeshtimin e procedurave dhe përdorimin e teknologjisë në prokurimet publike për të rritur transparencën.

Ai kritikoi gjithashtu praktikat aktuale të tenderave publikë, duke thënë se ato dekurajojnë pjesëmarrjen e kompanive europiane dhe bien ndesh me parimet e tregut të përbashkët dhe shtetit të së drejtës.

Në lidhje me integrimin europian, Berisha u shpreh kundër ideve për “integrim të diferencuar”, duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Ai përmendi gjithashtu nevojën për transparencë në çështje me interes publik dhe kërkoi vlerësim më të madh për figura historike si Havzi Nela.

Takimi u zhvillua me studentë ndërkombëtarë të programit “East European Studies”, pjesë e një prej institucioneve më të njohura të studimeve politike në Europë.