Vendosni fjalën kyçe....

Salianji akuzon Berishën: Hesht për pasurinë e Xhafajt sepse ushqehen nga të njëjtët biznesmenë


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me tone të ashpra pas deklaratave të Sali Berishës, i cili mbrojti ish-ministrin Fatmir Xhafaj lidhur me lejen e ndërtimit të pallatit të përfshirë nga zjarri në Tiranë.

Salianji e cilësoi këtë mbrojtje si një dëshmi të lidhjeve të vjetra dhe të thella mes tyre, duke akuzuar kreun e PD-së se po shërben si mekanizëm për mbajtjen e Edi Ramës në pushtet.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji listoi disa fakte që sipas tij vërtetojnë implikimin e Xhafajt në projektet e ndërtimit të biznesmenit Armand Lilo, duke përfshirë firmat si ministër dhe rolin e dhëndrit të tij në Bashkinë e Tiranës.

“Mbrojtja që Sali Berisha i bëri sot Fatmir Xhafajt nxori në dritë atë që shumëkush e dyshonte prej kohësh: lidhjet e tyre janë të vërteta dhe të thella. Të shmangësh rolin e Xhafajt nuk është thjesht devijim dhe tymnajë, por është mbrojtje e qëllimshme”, u shpreh ai.

Salianji hodhi akuza të forta edhe për financimin e opozitës, duke pretenduar se Berisha hesht për licencat e energjisë dhe pasurinë e Xhafajt sepse bashkëpunon me të njëjtët biznesmenë që mbështesin qeverinë. Sipas tij, kjo skemë pengon nisjen e hetimeve pasurore në zbatim të ligjit antimafia.

“Jo miq, kjo është shumë më e thellë. Mbrojtja vjen nga bashkëpunimi me të njëjtët biznesmenë që ushqejnë dy autokratët: Ramën në qeveri dhe Berishën në opozitë. Prandaj nuk kërkohet hetim pasuror për Xhafajn sipas ligjit antimafia”, theksoi Salianji.

Në mbyllje të reagimit të tij, ish-deputeti bëri thirrje për një betejë të dyfishtë: rrëzimin e qeverisë dhe largimin e asaj që ai e quajti “uzurpatori në opozitë”.

Ai e cilësoi Sali Berishën si fytyrën tjetër të së njëjtës medalje me Edi Ramën, duke nënvizuar se pa pastrimin e opozitës nuk mund të ketë ndryshim të vërtetë për Shqipërinë.

“Sali Berisha nuk është alternativë për ndryshim pushteti, por fytyra tjetër e të njëjtës medalje! Është mekanizëm mbajtjeje në pushtet për Edi Ramën. Pa pastruar opozitën, nuk mund të fitohet Shqipëria”, përfundoi ai.