
Opozita pritet të zhvillojë sot protestën e saj të shtatë kombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Reagimi vjen pas akuzave për përfshirje në afera korruptive ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe refuzimit në Kuvend të kërkesës për arrestimin e saj.
Tubimi do të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë dhe pritet të zgjasë deri në orën 22:00. Ndryshe nga protestat e mëparshme me marshim, këtë herë fokusi do të jetë tek fjalimet nga përfaqësues të Partisë Demokratike, aleatët dhe aktivistë, me podium të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë.
Policia e Shtetit ka njoftuar edhe masat e sigurisë ku bëhet me dije se do të kufizohet lëvizja e automjeteve në disa akse rrugore.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.
Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,
nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër
Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.
Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.