
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë detare ndaj porteve të Iranit, duke ndaluar hyrje-daljet e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, përcjell Euronews.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se çdo anije që përpiqet të thyejë bllokadën do të goditet menjëherë. Sipas tij, marina iraniane është shkatërruar pothuajse plotësisht gjatë konfliktit.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bëri të ditur se bllokada do të zbatohet për një periudhë të pacaktuar dhe përfshin të gjitha anijet, pavarësisht origjinës së tyre.
Në operacion janë përfshirë 16 anije luftarake amerikane, ndërsa autoritetet theksojnë se kjo përfaqëson më pak se 10 për qind të fuqisë totale detare të SHBA.
Gjenerali Dan Caine sqaroi se masa zbatohet për çdo mjet lundrues që tenton të hyjë apo të dalë nga portet iraniane.
Bllokimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit në botë, ka sjellë rritje të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi se Europa mund të përballet me mungesa serioze karburanti nëse situata vazhdon.
Vendimi për bllokadën erdhi pas dështimit të negociatave mes SHBA dhe Iranit në Islamabad, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasoja të rënda në ekonominë globale në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.