
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti në fillim të seancës plenare shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian, duke kërkuar zhvillimin e një debati të plotë parlamentar mbi këtë çështje.
Në fjalën e saj për procedurë në Kuvendin e Shqipërisë, Tabaku theksoi se negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të trajtohen si një proces teknik i mbyllur, por si një proces politik dhe me interes kombëtar, ku qytetarët duhet të informohen dhe të përfshihen.
Ajo vuri në dukje se, ndryshe nga disa vende të rajonit si Serbia, ku pozicionet negociuese publikohen dhe diskutohen, në Shqipëri mungon transparenca si për publikun, ashtu edhe për deputetët, duke shtuar se opozita është e përjashtuar nga ky proces.
“Ky nuk mund të jetë një proces që zhvillohet me prezantime PowerPoint. Është një proces politik dhe qytetarët shqiptarë duhet të dinë se çfarë po negociohet në emër të tyre,” u shpreh ajo.
Në vijim, Tabaku ngriti edhe pyetje për çështje të ndjeshme që lidhen me standardet europiane dhe procesin e integrimit, përfshirë ligjin për portet turistike strategjike, për të cilin opozita ka shprehur shqetësime për mungesë gare dhe cenim të konkurrencës, duke kërkuar sqarime nëse këto tema janë pjesë e diskutimeve me Bashkimin Europian.