
Jashtë Parlamentit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë e Edi Rama se po negocion procesin e integrimit në Bashkimin Europian përmes “lobimeve korruptive” dhe jo mbi bazën e parimeve të BE-së.
Berisha deklaroi se Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk informon publikun dhe opozitën mbi zhvillimet në Bruksel, duke theksuar mungesë transparence në proces.
Ai i bëri thirrje institucioneve europiane të denoncojnë këtë praktikë, ndërsa shtoi se vendi nuk përmbush kriteret e integrimit, përveç atij gjeopolitik.
“Shqipëria është i vetmi vend që negocion bazuar në lobime korruptive dhe jo në parimet themelore të pëcaktuara nga BE për procesin e integrimit.
Franca, me lobimin korruptiv të saj, arrin të përjashtojë plotësisht shqiptarët nga procesi i integrimit. Nëse serbët, maqedonasit, marrin informacion të saktë pas çdo takimi në Bruksel, qeveria shqiptare nuk publikon qoftë edhe një fjalë të vetme në ato mbledhje që vendosin për fatin e integrimit të të gjithë shiqptarëve.
Nëse në vendet përreth keni dëgjuar raportin IBAR, që është i vlerësimit të ndërmjetëm të dy kapitujve kryesorë, duhet ta dini që opozita nuk ka, merr vesh nëpërmjet miqve të saj në takimet e COELIA-s sepse qeveria nuk jep asnjë njoftim.
Ky s’është proces i mbyllur, përfaqësuesi merr pjesë të mos i thotë asnjë fjalë vendit të tij përveç kryeministrit. Shqipëria s’e bazon procesin e integrimit në transparencë e gjithëpërfshirje, por në lobime të turpshme korruptive.
I bëj thirrje Komisionit Europian, BE, vendeve europiane të denoncojnë këtë praktikë të turpshme.
Akuzojnë opozitën për fjalimet që mban në Strasburg. Ky vend nuk plotëson asnjë kriter tjetër për të kërkuar nga BE në procesin e integrimit.
Ky vend nuk plotëson asnjë kriter tjetër përvec kriterit gjeopolitik dhe kemi faktuar shkarjen e tmerrshme mbrapa të demokracisë në Shqipëri nga heqja e monitorimit”, tha Berisha.