Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Belgjikë i dënuari për vrasje, pritet ekstradimi në Shqipëri



Shërbimet e FAST Albania kanë mundësuar lokalizimin dhe arrestimin në Belgjikë të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda kundër personit.

Operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet belge, pas shkëmbimit në kohë reale të informacionit përmes rrjetit ENFAST, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”.

Në pranga ka rënë Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës në vitin 2019 me 18 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Sipas hetimeve, në korrik të vitit 2017, në fshatin Borsh, 29-vjeçari në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka vrarë me mjet prerës një shtetas dhe ka plagosur rëndë një tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Ai rezulton gjithashtu autor i plagosjes së një shtetasi tjetër.

Aktualisht vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve belge për finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku i riu pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 13 vjetësh, 6 muajsh dhe 27 ditësh burgim.