Vendosni fjalën kyçe....

Nis seanca në Kuvend, Braçe interpelancë me Sallën dhe opozita kërkon dy komisione hetimore



Ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë seanca e radhës plenare, ku në fokus janë çështje të rëndësishme politike dhe institucionale.

Në rendin e ditës parashikohet një interpelancë e kërkuar nga deputeti Erion Braçe me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla. Më tej, do të zhvillohet një seancë pyetje–përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.

Një pjesë e rëndësishme e seancës lidhet me kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Njëri prej tyre synon kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar në realizimin e investimeve infrastrukturore, ndërsa tjetri fokusohet në funksionimin e AKSHI-t, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, si dhe në rreziqet për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e vendit si anëtar i NATO-s.

Në rendin e ditës përfshihen gjithashtu shqyrtimi i disa projektligjeve, mes tyre ndryshime në ligjin për portet turistike dhe në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, si dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Seanca parashikon edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.