Vendosni fjalën kyçe....

Rama mesazh të prerë tatimorëve: Ndryshoni sjellje me biznesin, stop presionit për ryshfet


Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një thirrje të përsëritur dhe të drejtpërdrejtë drejtuar administratës tatimore dhe doganore, duke kërkuar një transformim rrënjësor të sjelljes në raport me sipërmarrjen private.

Gjatë fjalës së tij këtë të martë, kreu i qeverisë nënvizoi se klima e biznesit nuk mund të përmirësohet nëse punonjësit e shtetit vazhdojnë të ushtrojnë presion për përfitime personale.

Ndonëse kjo kërkesë është artikuluar disa herë prej tij, përsëritja e mesazhit vjen si një sinjal se fenomenet e korrupsionit dhe kërkesat për ryshfet mbeten ende shqetësime prezente në terren.

“Duhet një administratë absolutisht ndryshe nga ajo që kemi pasur deri disa vite më parë, që klima e biznesit të jetë pozitive, që kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të kërkesës për ryshfet apo të korrupsionit,” — deklaroi Rama.

Për kryeministrin, çelësi i suksesit ekonomik qëndron te binomi “aftësi dhe integritet”. Ai theksoi se vetëm përmes një administrate të fortë dhe të pastër mund të garantohet rritja e vazhdueshme e të ardhurave, e cila më pas do të shërbejë si bazë për politikat sociale.

“Duhet një administratë që ka aftësi nga njëra anë dhe integritet nga ana tjetër për të pasur rritjen e vazhdueshme që kemi, qoftë nga të ardhurat në dogana, qoftë nga të ardhurat në tatime,” — nënvizoi kreu i ekzekutivit.

Sipas Ramës, qëllimi final i këtij presioni ndaj administratës është që rritja ekonomike e vendit të mos mbetet thjesht në shifra, por të shkojë direkt te qytetarët përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.

“Duhet një administratë që është e mirëpozicionuar në raport me qëllimet e qeverisë, që rritja ekonomike të përkthehet në rritje pagash, në rritje pensionesh dhe në më shumë të drejta,” — u shpreh ai në mbyllje të mesazhit të tij drejtuar punonjësve të shtetit.