
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të mandatit ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit nga Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, afat i caktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e shpalli të pavlefshëm një dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin.
“Ju dëshiroj shumë suksese përgjatë kohës që ju do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. Nuk do t’jetë punë e lehtë, edhe unë i kam provuar të dyja pozitat në vitin 2020 dhe një periudhë në vitin 2021, pra të jem edhe kryetare e Kuvendit edhe ushtruese e detyrës së presidentes.
Sado që të dyja detyrat kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit, njëkohësisht të udhëheqësh politikën e jashtme të vendit dhe ushtrinë e vendit e shumë detyra të tjera, duke filluar nga përfaqësimi i unitetit të popullit janë përgjegjësi e jashtëzakonshme në cilat ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në ditët në vijim”, tha presidentja Osmani gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pozitës së detyrës së presidentes.
Ajo tutje tha se shpreson shumë që Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë që të jetë e mundur do ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re, me shpresën që, siç tha, të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti ynë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon krizat mëdha, raporton RTK.
“Kur unë kam ardhur në këtë zyrë në nëntor të vitit 2020, në fakt kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme, siç e dini, kurse sot po ju lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Do të kemi mundësinë për gjatë takimit të diskutojmë për shumë procese që kanë filluar e përfunduar me sukses, por edhe për shumë procese që kanë filluar e shpresoj që ju t’i vazhdoni sa jeni këtu edhe kushdo që do të vijë pas jush”, i tha tutje Osmani kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga sonte në orën 24:00, do ta ushtrojë edhe detyrën e presidentes së vendit.