Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në veri, tensione në takimin e Kurtit me krerët e opozitës, Haradinaj largohet nga mbledhja


Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me krerët e partive opozitare. Takim kishte në qendër tensionet në veri të vendit pas vendimit të qeverisë për reciprocitetin e targave me Serbinë.

Vendimi çoi në largimin e serbëve nga institucionet e vendit si dhe dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve të Listës Serbe.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka dalë nga mbledhja duke shkruar në Facebook se Kurti po mbante ligjërata e nuk po sqaronte pse ka prishur marrëdhëniet me SHBA-në.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë.” – shkroi Haradinaj.

Në takim morën pjesë kreu LDK-së, Lumir Abdixhiku e ai i PDK-së Memli Krasniqi. Abdixhiku tha pas daljes nga mbledhja se kryeministri Kurti nuk ka plan për zgjidhjen e çështjes në veri të vendit ndërsa theksoi se Kosova duhet të rreshtohet krah aleatëve të saj.

“Nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet e kryeministrit. Nuk pamë plan për zgjidhjen e çështjes së krijuar. Nuk pamë lëvizje për koordinim të plotë me aleatët tanë. Besojmë se koordinimi me Departamentin e Shtetit dhe me institucionet, me Uashingtonin dhe Brukselin, është zgjidhja e vetme për situatën e krijuar. Kosova duhet të sigurojë paqen dhe sovranitetin në territorin e vet.” -tha Abdixhiku, shkruan Koha.

Ndërsa kreu i PDK-së Krasniqi theksoi se gjatë takimit nuk ka marrë siguri nga qeveria se çfarë drejtimi do ndjekë e çfarë masash do marrë për të mbajtur nën kontroll situatën në veri.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se Qeveria e di se në çfarë drejtimesh duhet të shkojë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Shpreha qëndrimin e PDK-së që në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Sa i përket vazhdimësisë së ushtrimit të sovranitetit në katër komunat veriore, qeveria duhet t’i ndërmarrë veprimet që i takojnë, dhe për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së në çfarëdo mundësie që kemi. Papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit me aleatët kryesorë të Kosovës duket se kanë sjellë një momentum që ka mundur të shmanget.” – ka thënë ai.

Reciprociteti i targave u vendos edhe para pak muajsh po pas ndërhyrjes së SHBA-së e BE-së e takimeve mes Kurtit e Vuçiçit, zbatimi i tij u shty për më vonë.

Para pak ditësh qeveria e Kosovës vendosi të rikthejë reciprocitetin që nga 1 nëntorit duke paralajmëruar këshillim e më pas gjoba në rast të moszbatimit nga serbët. Kjo çoi në rikthimin e tensioneve ndërsa SHBA-ja e BE-ja i kërkuan Prishtinës zyrtare që ta shtyjë sërish zbatimin e vendimit.