Vendosni fjalën kyçe....

Rebelohet stafi “woke” i BBC-së


Stafi woke pro-trans në BBC News është përplasur me bordin e saj qeverisës për dorëheqjen e figurave kryesore mbi falsifikimin e një fjalimi të presidentit amerikan Donald Trump në një dokumentar, ka raportuar Daily Mail, duke cituar burime të brendshme.

Me rritjen e kritikave, transmetuesi britanik njoftoi të dielën se drejtori i Përgjithshëm Tim Davie dhe shefja ekzekutive Deborah Turness do largoheshin pasi doli në dritë se dy pjesë të fjalimit të Trump-it të 6 janarit 2021, në Kapitolin e SHBA-së, u bashkuan në dokumentar pavarësisht se ishin bërë me pothuajse një orë distancë.

Presidenti i SHBA-së ka kërcënuar se do padisë BBC-në për 1 miliard dollarë nëse ata nuk bëjnë një “tërheqje të plotë dhe të drejtë” të programit deri të premten, sipas transmetuesit.

Në një letër drejtuar Parlamentit të hënën, kryetari i bordit të BBC-së, Samir Shah, pranoi se “mënyra se si u redaktua fjalimi dha përshtypjen e një thirrjeje direkte për veprime të dhunshme.”

Sipas Daily Mail, skandali ka çuar në një “luftë civile” të hapur në BBC, me “stafin ëoke pro-trans” që po rebelohet kundër bordit të saj, me sa duket për pranimin e gabimit.

Në të njëjtën kohë, tabloidi citoi një yll të njohur të TV-së, i cili kërkoi të mbetej anonim, duke thënë se ishin të habitur që Davie dhe Turness nuk u shkarkuan më herët, duke pasur parasysh numrin e skandaleve me të cilat BBC u përballë gjatë drejtimit të tyre.

Burimi i brendshëm thuhet se theksoi se transmetuesi kishte marrë një drejtim “woke” vitet e fundit, me raportime “të njëanshme” të çështjeve transgjinore dhe luftës në Gaza, shkruan Rt.

Si Davie ashtu edhe Turness “dështuan” të merreshin me paanësinë në BBC, citoi Daily Mail burimin e tyre.

Vetëm javën e kaluar, transmetuesi censuroi prezantuesen veterane Martine Croxall, pasi ajo korrigjoi “njerëz shtatzënë” në “gra” ndërsa lexonte drejtpërdrejt në BBC News, më herët këtë vit. Shprehja e saj e fytyrës dha “përshtypjen e fortë të shprehjes së një pikëpamjeje personale për një çështje të diskutueshme,” shpjegoi transmetuesi.

Muajin e kaluar, u vendos se BBC theu kodin gazetaresk duke mos zbuluar se një pjesë e një dokumentari për Gazën që e publikoi më herët këtë vit ishte me narracion nga djali i një zyrtari të Hamasit.