Vendosni fjalën kyçe....

Turqia njofton zbulimin e një fushë të re nafte


Rreth 150 milionë fuçi rezerva neto nafte u zbuluan në malin Gabar, në provincën juglindore Sirnak të Turqisë, njoftoi të hënën presidenti i vendit Erdogan pas një takimi me kabinetin e ministrave.

Gjetja, që thuhet se është një nga dhjetë zbulimet më të mëdha në tokë të vitit 2022, ka vlerë rreth 12 miliardë dollarë, tha presidenti.

“Ne prodhojmë 5000 fuçi në ditë në katër puse në këtë rajon, i cili ka një cilësi shumë të lartë të naftës”, vuri në dukje Erdogan, cituar nga Anadolu Agency.

“Ndërsa shumë kompani të naftës dhe gazit natyror po braktiseshin gjatë pandemisë, Turkish Petroleum përshpejtoi veprimtarinë e saj të kërkimit e prodhimit. Me 34 zbulime të tjera vetëm në vitin 2021, ne shtuam 71 milionë fuçi të tjera në rezervën tone të tanishme”, shtoi ai.

Turqia planifikon të rrisë prodhimin e saj të naftës në 100,000 fuçi në ditë, duke zgjeruar kërkimet sizmike, shpimet dhe zhvillime të tjera që rrisin prodhueshmërinë, zbuloi Erdogan.

Zbulimi vjen më pak se një muaj pasi Turqia thuhet se po kërkonte një ulje të çmimit me mbi 25% të furnizimeve të gazit natyror nga Rusia, e cila furnizon rreth 44% të gazit të vendit. Dy vendet kanë punuar gjithnjë e më shumë së bashku për furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë, veçanërisht pas sulmit ndaj tubacioneve të gazit Nord Stream në Detin e Zi.

Javën e kaluar, Financial Times raportoi se zyrtarët perëndimorë po e konsideronin Turqinë përgjegjëse për ndërprerjen e dërgesave të naftës nga Deti i Zi, pasi Ankaraja ndaloi 22 cisterna që transportonin naftë të papërpunuar të kalonin ujërat e saj territoriale, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

Anijet u ndaluan disa ditë pasi BE-ja, vendet e G7-ës e Australia vendosën një kufi çmimi prej 60 dollarësh për fuçi për eksportet ruse të naftës së papërpunuar nga deti.