
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se presidenti amerikan Donald Trump do t’u dërgojë udhëheqësve të 12 vendeve të tjera — përveç Japonisë dhe Koresë së Jugut — letra zyrtare për vendosjen e tarifave të reja që do të hyjnë në fuqi muajin tjetër.
“Do të ketë rreth 12 vende të tjera që do të marrin njoftime dhe letra drejtpërdrejt nga presidenti i Shteteve të Bashkuara,” tha Leavitt. Ajo shtoi se Trump synon të krijojë “marrëveshje tregtare të personalizuara për çdo vend në këtë planet”.
Po ashtu, Leavitt konfirmoi se Trump do të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv që shtyn afatin për vendosjen e tarifave reciproke nga 9 korriku në 1 gusht, për t’u dhënë më shumë kohë vendeve të prekura që të negociojnë marrëveshje, përcjell Guardian.
“Presidenti do të firmosë gjithashtu një urdhër ekzekutiv sot, duke e shtyrë afatin nga 9 korriku në 1 gusht. Pra, normat e reja të tarifave reciproke, të detajuara në këto letra drejtuar udhëheqësve të huaj, do të dërgohen brenda muajit të ardhshëm — ose do të arrihen marrëveshje. Këto vende po vazhdojnë të negociojnë me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi parë zhvillime pozitive, por administrata, presidenti dhe ekipi i tij tregtar janë të përqendruar që të arrijnë marrëveshjet më të mira për popullin amerikan dhe për punëtorët amerikanë.”