Vendosni fjalën kyçe....

Talibanët po konfiskojnë pasaportat amerikane – Raporti i New York Post


Portat e aeroportit të Kabulit thuhet se janë mbyllur të shtunën, ndërsa hollësi shtesë tregojnë se talibanët po konfiskojnë pasaportat amerikane.

“Të gjitha portat hyrëse në aeroportin e Kabulit u mbyllën të shtunën në mëngjes për shkak të situatës së rrezikshme,” raportoi New York Times, duke shtuar se ambasada amerikane në Kabul po këshillon evakuuesit të mos udhëtojnë në aeroport për shkak ‘të kërcënimeve të sigurisë’.

“Për shkak të kërcënimeve të mundshme të sigurisë jashtë portave të aeroportit të Kabulit,” paralajmëroi ambasada në faqen e saj të internetit, ‘ne po i këshillojmë qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimet në aeroport dhe të shmangin portat e aeroportit në këtë kohë, nëse nuk merrni udhëzime individuale nga një përfaqësues i qeverisë amerikane për ta bërë këtë’.

Kërcënimet e sigurisë vijnë pasi New York Post raportoi se talebanët ‘tani po përpiqen të marrin pasaportat amerikane dhe urdhrat e identifikimit në një përpjekje për t’i ndaluar ata të largohen nga vendi’.

“Unë arrita te portat dhe do të tregoja pasaportën time, por talibanët e morën atë dhe thanë që nuk isha i lejuar të kaloja,” tha një afgano-amerikan në terren për New York Post.

“Unë isha me fat që një marins amerikan ishte aty dhe e detyroi talibanin të ma kthente pasaportën.” – shtoi ai.

Ish-Navy SEAL Ephraim Mattos, i cili punon për të evakuuar njerëzit në terren, gjithashtu konfirmoi raportet për Post.

“Ata po konfiskojnë pasaportat amerikane, patentat e shoferit, nga qytetarët amerikanë, “ tha Mattos. “Ata humbasin kësisoj provën se janë qytetarë amerikanë dhe kjo ka ndodhur në shumë raste në vende të ndryshme.” – shtoi ai.

Kriza në terren në Kabul, Afganistan, vjen pasi Presidenti Joe Biden pohoi të premten se ‘sipas njohurive tona, pikat e kontrollit të talibanëve po lejojnë që njerëzit të tregojnë pasaportat amerikane e të kalojnë’.

Por strategjia e marrëdhënieve me publikun e Biden nuk përputhet me raportet e mediave në terren ose me sekretarin e tij të Mbrojtjes, i cili tha të premten se amerikanët janë abuzuar dhe rrahur në terren. Raportet e mediave sugjerojnë se rreth 10,000 deri në 40,000 qytetarë amerikanë janë bllokuar në Afganistan.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani