Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në aksin Prrenjas–Librazhd, tre të plagosur – një në gjendje kritike


Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së dielës, rreth orës 17:05, në aksin nacional Prrenjas–Librazhd, në zonën e njohur si “Lokali i Zenelit”, në Qukës.

Sipas informacioneve paraprake, tre automjete janë përfshirë në përplasje, duke shkaktuar tre të plagosur, mes tyre një person që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit nga shërbimi i ambulancës, ndërsa nga përplasja janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Për shkak të aksidentit, qarkullimi në këtë segment po zhvillohet vetëm në një krah, duke krijuar vonesa të mëdha në lëvizje. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe një ekip zjarrfikës i Bashkisë Prrenjas, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e të plagosurve nga automjetet dhe për pastrimin e rrugës për të rikthyer qarkullimin normal.

Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.