Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon pas sulmit amerikan ndaj Iranit: Shqipëria mbështet Trump për të ndaluar Teheranin të zotërojë armë bërthamore


Pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku Shtetet e Bashkuara goditën objektiva bërthamore në territorin iranian, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka shprehur mbështetje të plotë për veprimet e Presidentit Donald Trump, duke e cilësuar regjimin iranian si një rrezik të veçantë për botën e lirë.

“Shqipëria qëndron fort pas përpjekjeve të vërteta të Presidentit Trump që regjimi në Teheran të mos marrë armë bërthamore,” shkruan Rama.

Kryeministri shqiptar e përshkruan Iranin jo thjesht si një shtet me ambicie bërthamore, por si një teokraci me retorikë apokaliptike, që për dekada ka etiketuar vendet e lira si “satanike” dhe ka bërë thirrje për zhdukjen e tyre.

“Ky nuk është thjesht një tjetër shtet me kapacitete bërthamore, as një diktaturë me ambicie për të zotëruar armë të tilla. Është një teokraci, e pajisur me një retorikë apokaliptike… Në çdo drejtim, ky është një përjashtim i rrezikshëm,” thekson ai.

Rama kujton të kaluarën e Shqipërisë si një vend që ka vuajtur nën një regjim teokratik dhe izolues dhe e vendos mbështetjen e Shqipërisë ndaj SHBA-së në këtë kontekst:
“Si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi brutal dhe si partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të palëkundur për përpjekjet e Presidentit Trump.”

Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar është thellësisht i ndarë për veprimet e SHBA-së dhe Izraelit, me disa vende që kanë thirrur mbledhje urgjente të OKB-së për të diskutuar legjitimitetin e sulmit.