Kryeministri Rama pohoi mbrëmjen e sotme se qeverisja e tij ka fituar besimin e BE-së dhe se kjo e fundit i ka premtuar anëtarësimin në bllok deri në vitin 2027.
Kreu i qeverisë ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në MCN. Ai tha se BE-ja ka mbetur e impresionuar nga reformat e qeverisë dhe nga përgatitja e bërë.
“Na ka ndodhur që kemi qenë gati, sipas kushteve të atyre, dilte njëri prej atyre, ai i Holandës dhe thoshte jo, dilte tjetri dhe thoshte jo. Është shtëpi të pasurish ajo, nuk është shtëpi të varfërish. Nuk e hap derën shtëpia e të pasurve se troket ti, nuk e hap, ti trokit sa të duash. E hapin kur ti krijon një besim, një respekt dhe kur kanë një interes ata. Dhe çfarë është përputhur sot kur ata janë në kushtet kur duan të zgjerojnë, apo siç po e thonë më shumë, të unifikojnë Evropën. Kështu ndryshoi komplet politika e zgjerimit dhe sot na kanë dhënë një afat. Sot ne kemi një afat dhe ata kanë mbetur të impresionuar kur panë përgatitjen që kemi bërë ne dhe na kanë dhënë afatin 2024-2027 dhe thonë nëse i bëni të gjitha këto ne do u marrim brenda 2027. Mua më duket çudi kur shkon letra në parlamentin holandez dhe kalon pa asnjë lloj dhe lisho fare, sepse kemi krijuar besim. Nëse do hyjmë te të dhënat dhe vlerësimet e tyre do të shohim që jemi shumë lart nga perceptimi i shumicës. Jemi në një pozicion tjetër sot.” – tha Rama.
