Vendosni fjalën kyçe....

Qindra mijëra palestinezë ikin ndërsa ushtria izraelite pushton Rafahun


Qindra mijëra banorë të Gazës kërkuan strehim të enjten në një nga zhvendosjet më të mëdha të luftës, ndërsa forcat izraelite përparuan në rrënojat e qytetit Rafah, pjesë e një “zone sigurie” të saposhpallur që ata synojnë të kapin.

Një ditë pasi deklaruan qëllimin e tyre për të kapur zona të mëdha të enklavës së mbushur me njerëz, forcat izraelite u futën në qytet në skajin jugor të Gazës, i cili kishte shërbyer si streha e fundit për njerëzit që iknin nga zona të tjera për pjesën më të madhe të luftës, shkruan Reuters.

Ministria e shëndetësisë e Gazës raportoi të paktën 97 persona të vrarë në sulmet izraelite në 24 orët e fundit, duke përfshirë të paktën 20 të vrarë në një sulm ajror rreth agimit në Shejaia, një periferi e qytetit të Gazës në veri.

Më vonë të enjten, një sulm ajror izraelit vrau të paktën 27 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, brenda një ndërtese shkolle që shërbente si strehë për familjet e zhvendosura në qytetin e Gazës, thanë autoritetet lokale shëndetësore. Ushtria izraelite tha se sulmi goditi “terroristët” kryesorë palestinezë.