
Koreja e Jugut po bëhet një burim në rritje të shpejtë i importeve të makinave, pajisjeve mjekësore dhe kozmetikës.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, importet nga vendi i largët arritën në 8-mujorin e 2024 në 12 miliardë lekë, me rritje 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe 190% rritje në krahasim me vitin 2022. Ndërmjet 2021 dhe 2024, importet nga Koreja e Jugut janë rritur më shumë se tre herë.
Të dhëna më të detajuara nga INSTAT tregojnë se rritja ushqehet nga importet e makinave, pajisjeve mjekësore dhe kozmetikës. Makinat e importuara nga ky vend në 8-mujorin e 2024 arritën një vlerë prej 8.7 miliardë lekësh, ose 87 milionë euro duke u dyfishuar në krahasim me janar-gusht 2023 dhe duke përbërë 73% të totalit të importeve nga ky vend.
Ndërsa importet e pajisjeve mjekësore shënuan një vlerë 964 milionë lekë (9,4 milionë euro) me rënie të lehtë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose 7.5% të totalit. Kozmetika është një grup tjetër importesh nga Koreja që po rritet shpejt me rreth 3,8 milionë euro në 8 mujor me rritje vjetore 56 %, duke zënë rreth 3% të totalit.
Në fakt, importet nga Koreja e Jugut po rriten për një gamë të gjerë produktesh, që nga makinat, plastika, produktet farmaceutike dhe pëlhurat dhe madje edhe ushqime.
Në 8-mujorin 2024, importet nga Koreja e Jugut zunë 2% të importeve totale nga 1.5% vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
Koreja e Jugut është një nga katër ekonomitë më të zhvilluara të Azisë me një zhvillim të shpejtë në dekadat e fundit. Koreja mbetet një nga ekonomitë me më shumë rritje pas recesionit të madh dhe pandemisë COVID-19. Mallrat e saj kanë një reputacion të mirë në tregjet e huaja, teksa ofrojnë çmime më të favorshme se tregjet e vendeve të tjera të zhvilluara.
Me gjithë kostot e larta të transportit, çmimet e makinave nga Koreja janë më konkurruese se importet që vijnë nga vendet e BE. Tani Koreja po bëhet furnizuesi kryesor i tregut shqiptar sidomos me makina të përdorura.
Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Transporteve tregojnë se 17.4% e mjeteve që u importuan gjatë janar-korrik 2024 i takojnë Koresë së Jugut, me një rritje të dukshme me janar-korrik 2023 kur zinin 7% të totalit.
Në numër mjetet e importuara nga Koreja e Jugut janë rritur me më shumë se 3 herë ku nga rreth 2956 tashmë kanë arritur në 10.6 mijë mjete.
Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 57,3% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Gusht 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,0% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,4% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27,9 %), Turqia (8,2%), Kina (8,1%) dhe Greqia (7,2%).
Si tetëmujor, importet janë rritur me +3,1 %, krahasuar me tetë-mujorin e parë 2023, ndërsa eksportet, gjatë këtij tetëmujori janë ulur me -14,9%, krahasuar me një vit më parë./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
